Ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka reaguar pasi ish-senatori zviceran dhe përpiluesi i raportit me pretendime për trafik organesh, Dick Marty, ka treguar se që nga viti 2020 jeton nën masa të rrepta të sigurisë pas informacioneve se shërbimi sekret i Serbisë e ka vënë në shenjë për ta likuiduar dhe më pas për ta fajësuar faktorin shqiptar për një gjë të tillë.
Delawie thotë se Marty është një nëpunës me karrierë të gjatë dhe se nuk duhet që në vendin e tij të jetojë nën masa sigurie 24/7. Tutje Delawie thotë se Ballkani s’ka nevojë për telashe shtesë si rasti me “supozimet për vrasjen e Martyt”.
“Z. Marty është një nëpunës publik me karrierë. Ai nuk duhet të jetojë me siguri 24×7 në Zvicër, në vendin e tij. Ballkani nuk ka nevojë për ndonjë telash shtesë si ky komplot i supozuar i vrasjes”, ka shkruar Delawie në Twitter.
Sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 12 prill, se autoritetet e Kosovës do të bashkëpunojnë me shtetin e Zvicrës për të kuptuar më shumë për pretendimet e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, se strukturat serbe të sigurisë kanë planifikuar vrasjen e tij.
Marty, ish-senator zviceran, ka hetuar krimet e supozuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Kurti ka thënë se duhet të dihen shkaqet, rrethanat dhe informacionet tjera për rastin, sepse ky rast nuk ka të bëjë vetëm me “Dick Martyn, por edhe me Kosovën dhe shqiptarët”.
“Shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia, mirëpo unë shpresoj që Kuinti (Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania) në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi, ta ngrenë këtë çështje me presidentin atje dhe të gjitha organet shtetërore, sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme, e cila i tejkalon përmasat individuale, e përfshin një shtet të tërë”.
Kurti ka thënë se “mënyra se si ka operuar Shërbimi Sekret serb në Evropën Perëndimore, edhe ndaj shqiptarëve, edhe ndaj kroatëve, është i njohur botërisht”.
“Duket që atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt që të na fajësojnë neve”.