Fjalë Kyçe

Gjatë largimit me familjen, vetura e tyre ishte gjuajtur me plumba – Shkurte Fejza rrëfen tragjedinë që përjetoi gjatë luftës

Gjatë largimit me familjen, vetura e tyre ishte gjuajtur me plumba – Shkurte Fejza rrëfen tragjedinë që përjetoi gjatë luftës

Këngëtarja e njohur e popullit, Shkurte Fejza, ka qenë e ftuar së fundmi në një nga kronikat e emisionit të përjavshëm, “Prive”.

Ajo është përgjigjur në 50 pyetje që lidhen me jetën e saj private dhe profesionale, gjersa nuk i ka kursyer edhe rrëfimet e trishta të ngjarjeve që i kanë ndodhur gjatë jetës.

Një prej tyre që Fejza e kujton më me emocione është rasti kur vdekja iu kaloi para syve asaj dhe anëtarëve të familjes së saj.

Ngjarja kishte ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovës (1999), kur vetura e familjes së saj ishte gjuajtur me plumba, nga ku ajo dhe fëmijët e saj kishin shpëtuar – me përjashtim të vjehrrës së saj të ndjerë.

“Kemi jetuar vite të rrezikshme, jo vetëm unë po gjithë populli nuk e kemi pasur jetën të sigurt sepse kanë qenë periudha të vështira mirëpo unë do e ndaj një kujtim që asnjëherë nuk e kam ndarë, më 3 prill të vitit 1999, kur na përzunë prej fshatit Mushtisht, sepse Mushtishti ka pasur edhe një sfidë tjetër pasi kemi jetuar bashkë me serbët – i kemi pasur komshinj. Në atë kohë e di që kur na përzunë për në Shqipëri, makinën tonë (ne ishim tetë vetë në makinë), na gjuajtën dy herë me plumba dhe fati dhe Zoti deshi që ne shpëtuam. Domethënë dy plumba na ranë, i thyen xhamat, mirëpo ne shpëtuam përveç vjehrrës time ndjesë pastë – pasi i shkoi plumbi dhe ia shqeu shaminë”, ka thënë Shkurte Fejza.

Tutje, ajo thotë se pasi arritën të largoheshin me shpejtësi, medja e saj u drejtua menjëherë për te kujdesi ndaj fëmijëve.

“Pak më poshtë kur ikëm, tejkaloi Hajrushi [bashkëshorti], i pash fëmijët a janë gjallë sepse ishte krismë e tmerrshme. Kjo është ajo që unë shumë rrallë e kujtoj sepse është shumë shqetësuese dhe është një trazim shumë i madh i shpirtit”, kujtoi këngëtarja e njohur.

Gjatë po të njëjtës intervistë, këngëtarja e njohur u shpreh se kënga që e veçon më së shumti nga diskografia e saj është “Xhaamdani Vija Vija”, krijimi i së cilës ka lindur përgjatë rrugëtimit të saj të parë drejt shtetit amë- Shqipërisë.