Kuvendi i Kosovës, përmes një reagimi zyrtar, ka kundërshtuar deklaratat e deputetit të Lidhjes Demokratike, Driton Selmanajt, se 48 deputetë kanë hapur për herë të parë xhirollogari kur kanë hyrë në Kuvend, dhe shumica prej tyre, sipas tij, të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.
“Në referim të deklaratës së deputetit Driton Selmanaj, Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun sqaron si në vijim: Administrata e Kuvendit nuk kërkon të dhëna nga deputetët lidhur me vendet e tyre të mëparshme të punës e rrjedhimisht nuk ka bërë dhe nuk as bën analiza e statistika përkitazi me këto punësime. Andaj, thirrja në administratë është e paqëndrueshme”, thuhet në reagimin e Kuvendit.
Se këto të dhëna i ka marrë nga administrata, e ka thënë vet deputeti Selmanaj.
“Albin Kurti a ka punu dikund? Punë e kanë Lëvizjen Vetëvendosje, pa asnjë përvojë. Madje, unë mora informata që 48 deputetë, nuk po them që janë të gjithë të LVV-së, por besoj shumica, për herë të parë kanë hapur xhirollogari bankare kur janë bërë deputetë. Që i bie këta nuk kanë punuar kurrë përpara, ose kanë punuar në të zezën dhe s’kanë marrë rrogë zyrtarisht. I kanë ik tatimeve ose kanë punu në mënyrë informale. Unë kështu po e shoh. Sipas informataive të administratës, për herë të parë kanë hap xhirollogari kur kanë hy në Kuvend të Kosovës. Tani, nëse flasim për një Qeveri të tillë jo kompetente, edhe për nga dija edhe për nga eksperienca, sepse s’kanë punu përpara kurrë asnjë punë tjetër, normalisht që rezultatet kanë me qenë në ekonomi keq, në drejtësi keq, në kapje klasike të shtetit keq”, ka thënë Selmanaj.