Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar në një konferencë për media pas takimit që pati me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Karen Donfried, si dhe zv.ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar.
Me këtë rast, Osmani ka deklaruar se sot Evropa është në një udhëkryq historik dhe politik dhe derisa po flitet për këtë, tashmë po përcaktohet historia e kontinentit tonë.
“Janë bërë 61 ditë që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Republika e Kosovës jo vetëm që ka mbështetur popullin dhe pavarësinë e Ukrainës, por kemi dëshmuar partneritetin e sinqertë dhe orientimin tonë të palëkundur me veprime konkrete, duke qëndruar kundër tiranisë. E njëjta s’mund të thuhet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot diskutuam për urgjencën në progres të dialogut, duke u përqendruar në njohje reciproke. Kosova është palë e vendosur në dialog dhe mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që në qendër ka njohjen reciproke e nga ku do të përfitojnë të gjithë qytetarët tanë.”, tha Osmani.
Tutje ajo theksoi se është tashmë e ditur për shumë marrëveshje të cilat nuk po zbatohen nga Serbia, e të cilat ishin arritur në Bruksel.
“Jemi tashmë të njohur me moszbatimin e marrëveshjeve të shumta nga ana e Serbisë, duke përfshirë këtu edhe refuzimin e Serbisë që të merret me ata që po destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë. As marrëdhënia jonë me aleatin më të afërt SHBA, e as me anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtarë nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar derisa ky proces të vazhdojë. Siç ka deklaruar presidenti Biden, Kosova gjatë vitit të kaluar ka treguar vazhdimisht lidership në skenën ndërkombëtare.”, shtoi Osmani transmeton lajmi.net
Presidentja Osmani gjithashtu tha se kanë diskutuar edhe për nevojën për të intensifikuar tutje bashkëpunimin me SHBA-në, e veçanërisht në ekonomi dhe në fushën e sigurisë duke pasur parasysh zhvillimet e fundit.
“Kemi marrë konfirmimin se aleatët tanë amerikanë do të jenë të përkushtuar për paqen në Ballkan e në mbarë kontinentit tonë.Jemi të gëzuar se sot dëgjuam edhe një herë nga aleati ynë më përkrahës se SHBA-të mbështesin fuqishëm rrugëtimin tonë euroatlantik, për të konsoliduar më tutje demokracinë në vend, e për të punuar për sundimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin, si dhe mbështesin integritetin territorial të Kosovës.Fola edhe për progresin e Kosovës, si dhe përkushtimin tonë të palëkundur për forcimin e shtetësisë sonë, për të garantuar dhe promovuar të drejtat e pakicave etnike. SHBA-të nuk kanë aleatë më të madh se Kosovën, në gjithë rajoni dhe më gjerë. Ne kemi mbështetur SHBA-të sipas mundësive tona, siç ishte pritja e refugjatëve afganistan, apo edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë plotësisht në përputhje me aleatët tanë. Ne mund të jemi vend i vogël, por duke punuar me aleatët tanë si SHBA, do të vazhdojmë të kemi një impakt të madh në Evropë dhe Botë.”, shtoi Osmani.
Ajo falënderoi zyrtarët amerikanë për vizitën e tyre në Kosovë dhe në Ballkan.