Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde ka dënuar sulmin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës në veri.
Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar sërish mëngjesin e sotëm me armë zjarri derisa automjeti i tyre po qarkullonte nga Mitrovica në drejtim të kufirit të Bërnjakut. Ngjarja ka ndodhur në Zupçe të Zubin Potokut, dhe fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk kishte policë të lënduar.
“Ne e dënojmë sulmin e pestë të neveritshëm ndaj Policisë së Kosovës brenda vetëm disa javësh. Mbështetje e plotë për autoritetet e zbatimit të ligjit të Kosovës për të sjellë autorët para drejtësisë”, ka shkruar diplomati gjerman në Twitter.
We condemn this fifth despicable attack on the KP in just a few weeks. Full support to Kosovo’s law enforcement authorities to bring the perpetrators to justice https://t.co/XcnInvCxnR
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) April 26, 2022
Ndryshe, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka bërë të ditur për kp se incidenti ka ndodhur në orët e mëngjesit në rajonin e Zubin Potokut, duke thënë se nuk i di detajet.
“Deri tash nuk kemi ndonjë të arrestuar, por po punojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti”, ka thënë ai.
Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Bërnjak, sot gjatë ditës situata vazhdon të jetë e qetë, ndërsa janë vërejtur forca të shtuara të Njësiteve Speciale të Kosovës.