Fjalë Kyçe

Rexhepi: Sipas dijetarëve myslimanë, bartja e burkës nuk është obligim

Rexhepi: Sipas dijetarëve myslimanë, bartja e burkës nuk është obligim

Dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, Fahrush Rexhepi, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, tha se ekzistojnë mendime të ndryshme të dijetarëve myslimanë sa i përket mbajtjes së burkës te gratë.

Ai tha se nga të gjitha këto mendime arrihet në konkludim se bartja e burkës në fenë islame nuk është obligim, por vetëm bartja e hixhabit apo shamisë së kokës.

“Mendimi i parë i dijetarëve islamë, pra edhe i dijetarëve bashkëkohorë siç është Jusuf Kardavi, pastaj Gazali pastaj edhe Nasirudin Albani, një dijetar i shquar islam me origjinë shqiptare, por i njohur në tërë botën islame, janë të mendimit se burka nuk është obligim”, ka thënë Rexhepi.

“Burka nuk gjen hapësirë dhe zgjidhje në jurisprudencën islame, pra janë të mendimit se nuk është çështje e ligjshme, e domosdoshme dhe obligative siç është për shembull bartja e hixhabit apo bartja e shamisë. Pra një mbulesë normale të cilën e pranon legjislatura islame dhe dispozitat apo jurisprudenca islame”, ka shtuar ai.

Ai tha se numri i grave që bartin burka nuk është i lartë në Kosovë, megjithatë theksoi se këto gra përballen me vështirësi të shumta në jetën e përditshme dhe injorohen nga shoqëria.