Dy persona kanë mbetur të plagosur sot si pasojë e të shtënave me armë në Mramor të Prishtinës.
Si pasojë, të plagosurit nga ky rast janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Por i dyshuari për plagosje në këtë rast është një zyrtar policor.
Kjo tashmë është konfirmuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, raporton lajmi.net.
Hetuesit e IPK-së tashmë i janë përgjigjur informatave të para se zyrtari policor dyshohet të ketë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy persona, por se ende nuk është bërë arrestimi i policit.
Rasti është duke u hetuar ndërsa në konfirmimin për plagosje, nga Policia e Kosovës deklaruan se hetuesit policor po vazhdojnë të merren me hetimet që lidhen me këtë rast.
“Sot rreth orës 15:30, është pranuar informacioni për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Suteskë të fshatit Mramorë të komunës së Prishtinës. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në të dhënat e para, janë ngritur dyshimet se dy persona, kanë marrë plagë nga arma zjarrit. Të njëjtit janë dërguar në QKUK për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
Ngjarja ka ndodhur saktësisht në lagjen Suteskë të fshatit Mramor të kryeqytetit.