Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu përgjigj kërkesës së Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili në fjalën e tij drejtuar Parlamentit shqiptar kërkoi që vendi ynë të mbyllte portet për anijet ruse dhe të kufizonte ardhjen e turistëve rusë.
Kreu i qeverisë theksoi se “vendimet tona janë gjithmonë në një linjë me ato të Bashkimit Evropian”.
“Nuk ka vendim të linjëzuar të BE-së dhe përsa kohë që nuk ka, vazhdojmë në të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Është e thjeshtë: nëse do të ketë vendim të linjëzuar nga BE-ja, ne do të bashkohemi me të”, deklaroi Rama.
Në lidhje me Presidentin, Rama u shpreh: “Kanë nisur bisedimet me palët zyrtare në Kuvend, për një kandidaturë presidenciale me konsensus. Jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur, në funksion të zgjedhjes së një Presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”./a2cnn