I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar sonte në Berlin një takim jo formal me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Paraprakisht kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka pritur në takime të ndara Kurtin, Vuçiqin dhe Lajçakun.
Ndërsa, pas takimit jo formal me Kurtin dhe Lajçakun, presidenti serb, Vuçiqi, ka falënderuar nikoqirët gjermanë për organizimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Faleminderit nikoqirëve gjermanë për organizimin e dialogur mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka shkruar Vuçiq, në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi.
Pas takimeve të ndara me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Kurti e Vuçiq janë takuar sonte në një darkë të përbashkët në Berlin me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ndërsa, në konferencë shtypi pas takimeve me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, kancelari Scholz, tha se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi është i një rëndësie “të madhe” për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ashtu si dhe për integrimin evropian të të dyja vendeve.