Fjalë Kyçe

Mësuesja e nxënësve që u ndanë anash në festën e Abetares: Patën vetë dëshirë me u ulë këtu, nuk ka diskriminim

Mësuesja e nxënësve që u ndanë anash në festën e Abetares: Patën vetë dëshirë me u ulë këtu, nuk ka diskriminim

Gjatë ditës së martë, në Pejë, u kremtua Festa e Abetarës.

Teksa të gjithë nxënësit luanin e festonin së bashku, dhjetë nxënës të pakicave nuk u lanë të festonin me bashkëmoshatarët e tyre, mirëpo ata u ulën të ndarë.

Mësuesja e tyre, Xhylfidane Morina, deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me diskriminim dhe se ishte veç një rastësi. Po ashtu e njëjta tha se kjo ishte dhe dëshirë e nxënësve.

“Patën vetë dëshirë me u ulë këtu, pa asnjë qëllim tjetër. Ishte vetëm dëshira e tyre pasi hapësira ishte më e madhe”, tha mësuesja Xhylfidane për Klan Kosova.

Ndërkaq, nxënësit thonë se do donin të ishin më në qendër.

“Po kemi pas qef, po këtu na tha mësuesja, këtu u ulëm me shoqëri”, tha njëra nga nxënëset, pjesëtare e komunitetit RAE.

Për këtë rast reagoi edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Nagavci thotë se shpreh shqetësimin e thellë për këtë rast dhe se të njëjtin do ta shqyrtojë me prioritet.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë. Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës”.

Mes tjerash, Nagavci thotë se si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës.

“Parimi i mos diskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet. Si ministre, mësimdhënëse, nënë e qytetare, dënoj çdo formë diskriminimi, në çdo relacion, e posaçërisht kur bëhet fjalë për fëmijët, te cilët duhet t’i rrisim me dashuri e barazi në çdo hap të jetës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.