Trajneri i kombëtares së Kosovës U21, Albert Bunjaki u shpreh i lumtur pas fitores së ekipit të tij.
Kombëtarja U21 e Kosovës e ka filluar mbarë muajin qershor. Në ndeshjen e parë të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2023, Kosova e ka mposhtur Andorrën me rezultat 0:3.
Trajneri Bunjaki, u shpreh i lumtur që Kosova për tre ndeshje me radhë nuk ka pranuar asnjë gol, përcjell lajmi.net.
“Andorra është ekip i papërshtatshëm, fusha me bari artificial kishte vështirësitë e saj, temperaturat e larta e bënin të vetën, pastaj Andorra është një ekip që u ka shkaktuar problem ekipeve të mëdha sikurse Anglisë por dhe kombëtareve të tjera , por ne ia dolëm ta mbajmë lojën nën kontroll. Nga 11 lojtarë sa ishin në fushë, 8 prej tyre kanë të drejtë të luajnë në kualifikimet e radhës, që do të thotë se i kemi dhënë hapësirë lojtarëve të rinj të cilët janë komponuar mjaft mirë me pjesën tjetër, thjesht kemi bërë lojë kolektive”, ka theksuar Bunjaki.
Të motivuar me këtë fitore, ‘Dardanët’ e rinj me datën 10 qershor, e presin kombëtaren e Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Kosova U21 pas tetë ndeshjeve renditet në pozitën e tretë me 11 pikë.