Legjenda e Kombëtares së Zvicrës, Stephane Henchoz, ka kritikuar paraqitjet e Xherdan Shaqirit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Nga tri ndeshje të zhvilluara deri më tani në Grupin 2 të Ligës A, Zvicra nuk ka marrë asnjë pikë, shkruan Gazeta Express.
“Helvetikët” pësuan humbje nga Republika e Çekisë, Portugalia dhe Spanja. Të përzgjedhurit e Murat Yakin pësuan shtatë gola në tri këto ndeshje, teksa shënuan vetëm një.
Xherdan Shaqiri është një prej futbollistëve kryesorë te Zvicra, por që nuk ka lënë gjurmë në tri ndeshjet e para. Ai nuk ka asistuar, e as shënuar gol.
Dhe, sipas Henchoz, asistimet e golat janë diçka që duhet bërë Shaqiri.
“Ne nuk mund të vëmë në dyshim atë, por fatkeqësisht ai nuk mundi të merrte asnjë vendim”, tha ish-reprezentuesi zviceran për “Blick”.
Tutje, 47-vjeçari foli edhe për transferimin e futbollistit nga Kosova te Chicago Fire në MLS. Henchoz tha se ai nuk do të ishte transferuar atje, por që paratë kanë ndikuar te Shaqiri.
“Jo, por është vendimi i tij. Tetë milionë janë shumë para, ndoshta kjo ka qenë arsyeja. MLS nuk është një ligë e mirë. Nuk është as taktikisht e zgjuar dhe as teknikisht një ligë e madhe. Shaqiri ende mund të luajë lehtësisht në Bundesligë. Por, ai është ende në ekipin kombëtar, ai mund të kishte kaluar në Amerikë pas Kampionatit Botëror”, shtoi ai.
Henchoz u pyet nëse Botërori mund të jetë edhe turneu i fundit i Shaqirit me fanellën e Zvicrës, teksa përgjigja e tij ishte:
“Është e vështirë të thuhet nëse ai do të japë dorëheqjen nga kombëtarja më pas. Vullneti është ende aty. Por, ai duhet të japë, të bëjë punën e tij, e cila konsiston në shënimin e golave dhe përgatitjen”.
Legjenda zvicerane në fund tha se për Xherdan Shaqirin është e rëndësishme që ai të luajë në pozicionin e duhur.
“Kundër Spanjës ai luajti si mesfushori i djathtë. Është një pozicion i vështirë, duhet të punosh prapa dhe të japësh përpara”, deklaroi Henchoz.