Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i cili ka kandiduar për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e fundit lokale, ka thënë se zhvendosja e terminalit doganor nga Merdari është goditje e madhe për Podujevën.
Tahiri, i cili e ka cilësuar këtë vend si porta kryesore që e lidhë Kosovën me Evropë, ka thënë se ky vendim eliminon projeksionet për Zonën Ekonomike dhe planin për ngritje ekonomike dhe punësim në zonën e Llapit.
“Kjo është goditja e radhës, nga një qeveri jo kompetente që e pengon zhvillimin. Ndërsa goditja e dyta, pas Orllanit, që tashmë është bllokuar si potenciali kryesor për zhvillim e turizëm në Llap e Gollak”, ka shtuar ai në Facebook.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka bërë thirrje për deputetët dhe Qeverinë që “t’i ndalë bllokadat dhe t’i hapë rrugë zhvillimit.
“Në qoftë se vendimi është i përkohshëm dilni e tregoni, mos u fshihni”, ka shkruar ai.
Për zhvendosjen e terminalit doganor nga Merdari, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili tha se do t’i drejtohet nivelit qendror.