Alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës, ka bërë që Zvicra të aktivizojë dy avionë luftarakë për të shoqëruar një aeroplan që aterroi në Aeroportin e Cyrihut, të enjten mbrëma, ka shkruar “20min.ch”.
Operacioni zviceran u ndërmor, pasi aeroplani që aterroi në Cyrih u nis nga Aeroporti i Prishtinës, ku u alarmua për bombë.
Një zëdhënës i policisë kantonale të Cyrihut, tha se aeroplani zviceran arriti të ulet pa probleme, ndërsa pasagjerët dhe ekuipazhi kanë dalë prej tij pa telashe.
Aeroplani që fluturoi nga Prishtina për në Zvicër, u shoqërua nga dy F/A-18, derisa po i afrohej aeroportit “Kloten” në Cyrih.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një tjetër kërcënim me bombë të enjten, por që pas sigurimit të lokacionit dhe evakuimit të personave që ndodheshin në aeroport, alarmi rezultoi i rremë.
Dy javë më parë Aeroporti kishte marrë një kërcënim tjetër me bombë, që po ashtu rezultoi të jetë i rremë.