Fjalë Kyçe

LDK-ja akuzon VV-në për kapje të Universitetit të Prishtinës

LDK-ja akuzon VV-në për kapje të Universitetit të Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për kapje të Universitetit të Prishtinës.

Të premten, Senati i UP-së zgjodhi pesë anëtarë të Këshillit Drejtues, të cilët bashkë me katër anëtarë që emërohen nga ministrja e Arsimit do ta zgjedhin rektorin e ri. Të menjëhershme ishin akuzat për politizim të procesit, pasi në votim për anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit u përfshinë shtatë senatorët e rinj që përfaqësojnë studentët, pavarësisht se Statuti i UP-së thekson se mandati i tyre nis më 1 tetor.

“Me qëllim të shtrirjes së ndikimit dhe të kontrollit në institucione, partia në pushtet po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura. Dje në Universitetin e Prishtinës (UP), nën ndikimin e partisë në pushtet, u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së nga radhët e trupit akademik. Përzgjedhja në masë të madhe dëshmoi se anëtarët u përzgjodhën me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalanc total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore. Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së”, thuhet në reagimin e LDK-së të shtunën.

Kjo parti ka thënë se “Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional”.

“Kjo është parë me ndërhyrjen e një qeverie të kaluar në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës që rezultoi me përjashtimin e saj prej organizmave relevante evropianë për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë. Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon respektim të autonomisë së Universitetit dhe përjashtim të ndikimit partiak në UP”, përfundon komunikata e LDK-së.

Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arjan Krasniqi dhe Naser Kabashi u zgjodhën anëtarë të Këshillit Drejtues. Zgjedhja ndodhi një ditë pas diskutimeve nëse duhet senatorët e rinj, që dolën pas zgjedhjeve studentore apo ata në përfundim të mandatit, të marrin pjesë në këtë proces votimi.