Përbrenda një periudhe të shkurtër, Policia e Kosovës ka arritur t’i konsifikojë tetë vetura të vjedhura më herët, që kanë qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës. Krejt kjo po bëhet me anë të bashkëpunimit të forcave të rendit me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX).
Nga kjo agjenci kanë bërë të ditur për lajmi.net se qëllimi i këtij operacioni është shtimi i sigurisë kufitare dhe bashkëpunimi me forcat e rendit në Kosovë, shkruan lajmi.net.
“Qëllimi i operacionit është të rrisë sigurinë kufitare, bashkëpunimin operacional, si dhe shkëmbimin e informacionit dhe praktikave më të mira midis Shteteve Anëtare dhe vendeve në kufi me BE-në përmes vendosjes së ekspertëve të BE-së në kufirin përkatës ajror, tokësor dhe detar nëpër pikat e kalimit. Deri më tani, në kuadër të operacionit janë zbuluar tetë makina të vjedhura”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të FRONTEX.
Kosova po merr pjesë në pikat e koordinimit të operacioneve të përbashkëta të FRONTEX Tokës, Ajrit dhe Detit 2022, i cili filloi në fund të janarit dhe do të zgjasë deri në fund të vitit, sipas FRONTEX.
Megjithatë, më herët për mediumin, Policia e Kosovës ka thënë se ndalimi i veturave nuk ka të bëjë me ndonjë operacion të veçantë por kryerje të detyrave të rregullta.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se nuk kemi të bëjmë me operacion të veçantë por kryerjen e detyrave të rregullta dhe shtimin e kontrollit në vijën e dytë nga ana e zyrtareve policorë të PK, si dhe rritjen e bashkëpunimit me policët e FRONTEX-it që janë në monitorim në PPKK Vërmicë-Morinë. Ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen”, u tha në përgjigjen e tyre.
Vetura që së fundmi është konfiskuar në pikën kufitare në Vërmicë në kuadër të bashkëpunimit PK-FRONTEX, ka rezultuar të jetë e vjedhur që nga viti 2019 në Shqipëri.
“Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, në hyrje nga territori i Republikës së Shqipërisë, më 01.06.2022 rreth orës 19:20 vije vetura Land Rover me targa të Shqipërisë e cila drejtohej nga: B.K., (viti i lindje 1999, shtetas i Shqipërisë). … Është ardhur në përfundim se vetura në fjalë rezulton e vjedhur në vitin 2019 në Shqipëri”, u than ë njoftimin e fundit të PK-së në ‘Facebook’.
Në fund të muajit të kaluar, janë identifikuar dy BMW X6 të vjedhura që nga viti 2010, të vjedhura në Itali, e më pastaj të regjistruara me targa falso në Shqipëri. Forcat e rendit dhe trupat e FRONTEX kishin pasur dyshimet e para në ndërhyrje mekanike të veturës.
Policia në bashkëpunim me FRONTEX-in arriti të identifikojë dhe ndalë edhe një veturë të vjedhur në Holandë të vitit 2020. I dyshuari për vjedhjen e veturës, sipas PK-së, kishte pasur ndërhyrje mekanike në pjesë identifikuese të automjetit.
Në muajin maj të vitit 2016, Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Frontex-in, agjenci e specializuar e Bashkimit Evropian për menaxhim të kufijve dhe luftimin e të gjitha krimeve ndërkufitare.