Prokuroria Speciale sot njoftoi për arrestimin e një shtetasi malazes nga fshati Vitomiricë i Pejës, nën dyshimet për “Krime lufte kundër popullsisë civile”, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se personi që u arrestua është Milorad Dokovic, 61-vjeçar, i cili u prangos rreth orës 14:00.
Sinjali mëson se 61-vjeçari i arrestuar dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ozdrim të Pejës gjatë luftës në Kosovë, në muajin maj të vitit 1999.
Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës, ku dyshohet se u vranë nëntë civil të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.
I dyshuari tashmë është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërkohë që janë kryer edhe bastisje lidhur me rastin.
Burimet e Sinjalit thonë se me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit dhe zyra e tij e strukturave paralale në fshatin Gorazhdec të Pejës.