Prishtinë- Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njofton se pasi i rekomandoi Policisë së Kosovës (PK) suspendimin e dy zyrtarëve policorë të policisë kufitare të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Lindje respektivisht Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Qafë Morinë, të njëjtit janë suspenduar.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga IPK, ku thuhet se veprimet hetimore në këtë rast janë vazhdimësi e operacionit “Pika”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Veprimet hetimore në këtë rast janë vazhdimësi e operacionit të IPK-së të koduar me emrin “Pika” kurse zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e ryshfetit”, thuhet në njoftim.
Me rekomandim të IPK-së dy zyrtarët policorë janë suspenduar, ndërsa thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast.