20-vjeçari i cili ishte brenda autoambulancës e cila u aksidentua ditë më parë në Gjakovë, është në gjendje kritike për jetë.
I njëjti është duke i trajtuar në Njësinë e Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin shefi i Intensives, Shaqir Uka, i cili tha se pacienti ka lëndime të rënda në pjesën e kokës dhe gjoksit.
“Pacienti i moshës rreth 20-vjeçare është në gjendje kritike për jetë. Lëndime të rënda ka kryesisht në pjesën e kokës dhe gjoksit”, deklaroi Uka.
Në aksidentin që ndodhi të enjten e 30 qershorit në Gjakovë u përfshinë një veturë civile dhe një autoambulancë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë.
Si pasojë e këtij aksidenti ka humbur jetën shoferi i autoambulancës së QMF-së në Gjakovë, Skofiar Gjini dhe më pas edhe mjeku Mentor Salihi.
Ata ishin duke u kthyer me autoambulancë pas dhënies së ndihmës në një aksident tjetër. /