Fjalë Kyçe

“100 euro, për tri ditë ta kryej punën” – Flet dëshmitarja në gjyqin ku polici akuzohet për ryshfet

“100 euro, për tri ditë ta kryej punën” – Flet dëshmitarja në gjyqin ku polici akuzohet për ryshfet

Në seancën e rigjykimit ku i akuzuari Isa Jashari, po akuzohet për marrje ryshfeti, dëshmitarja L.I ka thënë se polici Jashari, i kishte dërguar një mesazh duke i thënë se për 100 euro do t’ia kryente punën për 3 ditë.

“Ky më ka thënë që e ka një gjyqtar shok të ngushtë në Skenderaj dhe ka me ta kry për 3 ditë punën, fëmijët ki mi marrë me dokumente, por emrin e gjyqtarit nuk e ka përmend. Përmes mesazhit në telefonin tim, numrin e të cilit ja ka dhënë vajza e dajës Albina më ka thënë se veç 100 euro mi jep, dhe për 3 ditë po ta kryj punën, dhe mo ska me të lyp policia e Skenderajt dhe nëse tutesh diçka hajde te shpija jem ta lëshoj katin e 2”, tha dëshmitarja L.I, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta tha se këtë sms e ka paraqitur edhe në Inspektoratin Policor pasi që fillimisht e kishte parë një polic në Fushë Kosovë e që e kishte drejtuar për në IPK.

Paraprakisht, e dëmtuara-dëshmitare L.I ka thënë se mbetet pranë deklaratës së dhënë në gjykatë më 24 shtator 2019 si dhe pranë deklaratave të dhëna në prokurori.

Ajo ka sqaruar se me të pandehurin ishe takuar dy apo tri herë në lokalin “Eni Fast Food”, në Fushë Kosovë e cila tha se aty kishte qenë bashkë me djalin e saj E.B.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Isa Jashari, dëshmitarja tha se nuk i kujtohet çfarë date kishte qenë, por që në takimin e tretë ia kishte dhënë shumën prej 110 eurove.

E njëjta ka thënë se të akuzuarin e njeh përmes vajzës së dajës se vet dhe se nuk i ka kërkuar të akuzuarit t’ia kthente paratë me arsyetimin se “nuk kam dasht të merrem me të dhe e kam raportu rastin në polici”.

E pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi se çfarë kishte biseduar në takimin e parë me të akuzuarin, dëshmitarja tha se aty kishte biseduar për fëmijët e saj, pasi që ish-bashkëshorti i saj e kishte pasur besimin e fëmijëve.

“Unë e kam ditur që i akuzuari është zyrtar policor por qëllimi im ka qenë që ti marrë fëmijët”, tha ajo.

Në vazhdim, ajo ka treguar se pas lajmërimit në polici, i akuzuari Jashari i kishte kthyer sms me fjalët “n’ti paça marrë t’i kthej”.

Dëshmitarja sqaroi se paratë të cilat ia kishte dhënë të akuzuarit, ia kishte marrë hallës së saj në Drenas, e cila sipas saj i kishte thënë se “ai veç t’i merr paret e s’të kryen punë kurgjo se polic është ai”.

dërkaq, e pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku, se pse ia kishte dhënë paratë të akuzuarit përderisa nuk kishte pas procedurë kontestimore-civile duke u zhvilluar në gjykatë, dëshmitarja L.I, tha se qëllimi i saj ka qenë që të shpëtoj nga policia që sipas saj e kërkonin që t’ia merrnin fëmijët.

Në fund, e njëjta ka deklaruar se nuk parashtron kërkesë pasurore-juridike.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktua më 22 shtator 2022.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në qershor të vitit 2020, e kishte ka shpallur fajtor zyrtarin policor të akuzuar për marrje ryshfeti, Isa Jashari.

Sipas aktgjykimit të shpallur, Jashari ishte dënuar me pesë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 300 euro.

Ndërsa, Gjykata e Apelit në nëntor 2020, kishte aprovuar ankesën e të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së pare dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 janar 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Isa Jasharit, me pretendimet se i njëjti, më 10 maj 2017, rreth orës 14:30 në lokalin “Eni” në Fushë Kosovë, ka kërkuar dhe pastaj pranuar nga e dëmtuara L.I, shumën prej 110 euro, në emër të kryerjes së një rasti civil në Gjykatën e Skenderajt.

Sipas aktakuzës, këto para të pranuara nga e dëmtuara, i akuzuari i ka marr me qëllim që personi zyrtar në gjykatën në fjalë, të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në një rast ku e dëmtuara ishte e përfshirë si palë në një procedurë, e ku sipas aktakuzës, i akuzuari i kishte premtuar asaj këtë rast do t’ia kryente brenda tre ditësh.

Mirëpo, sipas prokurorisë, i akuzuari i kishte shkëputur pastaj të gjitha kontaktet me të dëmtuarën, derisa e njëjta kishte paraqitur rastin në polici.

Krejt këto veprime, siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Jashari i kishte ndërmarrë nga pozita e zyrtarit policor duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe duke i tejkaluar kompetencat e tij dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër.