Për 8 ditë një grup i qytetarëve të Kosovës kanë mbledhur më shumë se 20 mijë nënshkrime për lejimin e tërheqjes së 30% të Trustit. Ndërsa mendohet që ky Projektligji të procedohet për në Kuvend para se deputetët të shkojnë në pushime.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka folur për Ekonominë Online lidhur me procedurat që duhet ndjekur në mënyrë që ky projektligj të shkojë në Kuvend për miratim.
Haxhiu nuk ka dhënë ndonjë afat se a do të mundë të shqyrtohet ky projektligj para se Kuvendi të shkojë në pushim, pasi kjo, sipas tij, varet nga votimi i Qeverisë.
“Realisht projektligji për Trustin do të duhej të kalonte në Kuvend, nuk kishte asnjë arsye as ligjore e as ekonomike që ai të refuzohej. E kam thënë edhe kur e kam proceduar në Kuvend që projektligji për trustin është kërkesë e qytetarëve dhe sot si asnjëherë më parë, kjo çështje është vërtetuar që projektligji për trustin është kërkesë qytetare, sepse qytetarët u organizuan dhe për 8 ditë kanë mbledhur se 20 mijë nënshkrime për ta riproceduar sërish projektligjin për Trustin në Kuvend. Bazuar në ligjin për nisma legjislative tani u takon qytetarëve që me nënshkrimet e grumbulluara dhe projektligjin ta riprocedojnë sërish në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.
Ai thotë se ka gjasa që nënshkrimet të shkojnë në Kryesi ose te kryetari para pushimit vjetor, veçse një herë janë procedurat teknike, skanimi i nënshkrimeve dhe procedimi i tyre në Kuvend.
“Po sigurisht, po besoj që tani derisa të përgatiten edhe çështjet teknike të nënshkrimeve, skanimi i atyre më shumë se 20 mijë nënshkrimeve edhe procedimi i tyre në Kuvend, po ligji për nisma legjislative parasheh që këto nënshkrime edhe projektligji t’i dorëzohet kryetarit ose Kryesisë dhe Komisionit për peticione në mënyrë solemne. Dëshmon një demokraci të zhvilluar, ku qytetarët marrin nisma legjislative për një çështje të cilët ata i preokupon, në këtë rast është tërheqja e mjeteve nga Trusti”.
“Unë e kam thënë edhe në diskutimin që ishte në Kuvend, sepse nëse po ju duket që nuk mund ta kaloni një projektligj të propozuar nga opozita, çfarë do të bëni kur projektligji do të vije në Kuvend me kërkesën e qytetarëve, me nënshkrimet e tyre. Edhe në fillim qytetarët kanë qenë të gatshëm të mbledhin nënshkrimet për ta proceduar projektligjin për trustin, mirëpo ishte kohë pandemie, ishte muaji shkurt dhe do të rrezikohej shëndeti i tyre. Ne e kemi marrë përsipër që me nënshkrimet e deputetëve, ta procedojmë në Kuvend. Tani është ekskluzivisht kërkesë e qytetarëve, të cilët në bazë vullnetare janë organizuar shesheve të Kosovës dhe në një afat rekord kanë mbledhur mbi 20 mijë nënshkrime që nuk e ka bërë asnjë subjekt politik i organizuar deri sot, kaq shpejt e kaq shumë nënshkrime të mbledhin në një afat kaq të shkurtër kohor”, ka thënë Haxhiu.