Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar që të punësuarve në sektorin publik t’u shtohen 100 euro në paga, deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Kjo kërkesë u parashtrua në një takim të kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli, me ministrin e Financave, Hekuran Murati, shkruan lajmi.net.
“Kryetari i BSPK-së, z. Hykolli, e informoi Ministrin e FPT-së, z. Murati, se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret veprimin e duhur të Partnerit Social – Qeverisë që para mbledhjes së 10 gushtit 2022 të Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së, ku pritet të merret vendimet e duhura për veprimet e mëtutjeshme sindikale, të mundohet të gjejë rrugëzgjidhjen e duhur të zgjidhjes e të miratimit të kërkesave të parashtruara e sidomos të kërkesës së subvencionimit të pagave në lartësi prej 100€ për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për kohën deri në miratimin e Ligjit të Pagave”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.
Komunikata e plotë:
Sot, e enjte, 21 korrik 2022, Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Atdhe Hykolli, u prit në takim nga Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, z. Hekuran Murati.
Partnerët Socialë, z. Atdhe Hykolli dhe z. Hekuran Murati, u takuan në mjediset e Qeverisë dhe biseduan për çështjet aktuale dhe gjendjen ekonomike e sociale të të punësuarve e sidomos u fokusuan në zgjidhjen e kërkesave sindikale përkitazi me përfundimin e hartimit të Projektligjit të Pagave, me Plotësim-Ndryshimin e Ligjit të Skemave Pensionale të Financuara nga Shteti, dhe për nisjen e zbatimit të Ligjit të Sigurimit Shëndetësor, e sidomos u ndalën në gjetjen e rrugës së duhur për plotësimin e kërkesës së subvencionimit të pagës në lartësi prej 100€ për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për kohën deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Kryetari i BSPK-së, z. Hykolli, e informoi Ministrin e FPT-së, z. Murati, se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret veprimin e duhur të Partnerit Social – Qeverisë që para mbledhjes së 10 gushtit 2022 të Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së, ku pritet të merret vendimet e duhura për veprimet e mëtutjeshme sindikale, të mundohet të gjejë rrugëzgjidhjen e duhur të zgjidhjes e të miratimit të kërkesave të parashtruara e sidomos të kërkesës së subvencionimit të pagave në lartësi prej 100€ për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për kohën deri në miratimin e Ligjit të Pagave.