Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka nënshkruar një udhëzim të ri Administrativ me të cilin ulen konsiderueshëm çmimet për shërbimet noteriale.
Këtë, Haxhiu e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, shkruan lajmi.net.
Po ashtu, lirohen nga tarifat fëmijët pa kujdes prindëror, personat me nevoja të veçanta si dhe personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale.
Sot nënshkrova Udhëzimin e ri Administrativ për Tarifat Noteriale, me të cilin ulen konsiderueshëm tarifat për shërbimet noteriale, si dhe:
lirohen në tërësi nga tarifat noteriale fëmijët pa kujdes prindëror, personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas;
pamundësohet tarifimi i vërtetimit të dokumenteve që ruhen në dosjen e aktit noterial me çka ulen dukshëm shpenzimet e palës pranë noterit.
Me këtë Udhëzim Administrativ caktohen tarifa të arsyeshme duke i mundësuar qytetarëve shpenzime të përballueshme për shërbimet noteriale.