Fjalë Kyçe

Zjarret përfshijnë disa fshatra në Mitrovicë

Zjarret përfshijnë disa fshatra në Mitrovicë

Disa fshatra në Mitrovicën e Jugut janë kapluar nga zjarri të shtunën pasdite, kanë konfirmuar autoritetet e vendit.

Zjarrfikësit, Policia, Forca e Sigurisë dhe KFOR-i tashmë janë në vendin e ngjarjes, ka thënë për “Radio Evropën e Lirë”, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, Fexhrije Pllana.

“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në fshatin Cërnushë. Zjarri është përhapur në fshatin Kqiq, te pishat dhe fshatin Zasellë. Njësitë policore, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-i janë në vendngjarje duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin dhe ne rast nevoje edhe evakuimin e banoreve”, tha ajo.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka thënë se zjarret në Mitrovicën e Veriut nuk kanë qenë të mëdha dhe janë shuar shpejt.

“Nuk kanë qenë zjarre klasike. Janë këso zjarre qe po i djegin këto fushat, kanë qenë në fshatin Suhadoll, por i kanë shuar zjarrfikësit shpejt. S’ka më”, ka thënë ai.

Evropa po përballet me zjarre si pasojë e valës së të nxehtit që po mbretëron ditëve të fundit.

Zjarret e mëdha në Evropë janë bërë më të shpeshta, po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar.

Francë , Spanja, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia janë disa nga vendet që po përballen me zjarre./REL