Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të hënën nëpërmjet Twitterit se Arben Ahmetaj është shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministrit dhe e ministrit për Rindërtim.
Në postin e zv.kryemininistrit u emërua Belinda Balluku.
Ai tha se kryenegociatori Zef Mazi po ashtu është larguar nga pozita, për t’u emëruar Majlinda Dhuka.
“Falënderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, shkroi Rama. “Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE-në, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore & Ministre Shteti pranë kryeministrit”.
Javën e kaluar, Shqipëria i nisi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Rama njoftoi se dekretet u nënshkruan nga presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili mori detyrën të dielën.