Fjalë Kyçe

PDK prezanton Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, LVV nuk e përkrah

PDK prezanton Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, LVV nuk e përkrah

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar Projektligjin për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale edhe pse Komisioni për Shëndetësi ka rekomanduar që ky projektligj mos të miratohet.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Floretë Zejnullahu, si propozuese e këtij projektligji, tha para deputetëve se e kanë proceduar në Kuvend këtë projektligj pasi e kanë dërguar për mendim në Qeveri.

Sipas saj, përgjigja e Qeverisë ka qenë që janë duke u marrë vet me hartimin e këtij projektligji.

“Ky arsyetim është i paqëndrueshëm sepse një projektligj i tillë ka qenë në agjendë edhe vitin e kaluar dhe kjo qeveri nuk e ka marr fare mundin të punoj në këtë drejtim. Pastaj projektligji është shqyrtuar në komisionin për shëndetësi dhe me datë 12 korrik 2022 më shumë se 4 muaj vonesë përpjekje për të pengu shqyrtimin e një projektligji kaq të rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të vetmen arsye vetëm pse është propozuar nga opozita”, tha ajo, transmeton Kallxo.com.

Zejnullahu në emër të grupit parlamentar të PDK-së e ka prezantuar këtë projektligj duke thënë se ka për qëllim rregullimin e çmimit të produkteve medicionale në tri nivele.

Sipas saj, ky projektligj e përcakton çmimin fiks për shitje me shumicë dhe pakicë të produkteve medicionale përmes subjekteve të licencuara për qarkullim me shumicë dhe pakicë të produkteve medicionale në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, Zejnullahu tha se projektligji përcakton çmimin maksimal të blerjes ose tavanin e çmimit për produkte medicionale në raport me listën e barnave esenciale e cila përfaqëson çmimin maksimal të cilin Ministria e Shëndetësisë ose autoriteti kompetent do të lejohet me ble një produkt medicional me procedura të hapura të prokurimit. “Dhe përcakton çmimin fiks për rimbushim nga fondi për sigurime shëndetësore për secilin produkt medicional dhe të rimbursueshëm nga fondi për sigurime shëndetësore”.

Fatmire Kollçaku në emër të komisionit për Shëndetësi tha se komisioni i ka rekomanduar Kuvendit të mos miratohet ky projektligj.

Sipas Kollçakut, qeveria në strategji legjislative e ka këtë projektligj.

“Kemi vendos t’i rekomandojmë seancës mosmiratimin e këtij projektligji. Kjo është qeveria e parë që ka vendos që me një ligj ta rregulloj këtë çështje dhe kjo është për tu përshëndetur”, tha Kollçaku.

Armend Zemaj deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministër i Shëndetësisë, tha se kjo çështje duhet ta merr një verdiktin sa më shpejt në mbrojtje të qytetarit dhe pacientit.

Ai tha se LDK e përkrah si të tillë dhe do ta japin kontributin nëse e merr votën të cilës do të duhet ta merr.

Shemsedin Dreshaj deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se më mirë është ligji më i keq sesa pa ligj.

“Ky ligj është gatshëm e kemi në lexim të parë.. Nëse është pengesë që ligji ka ardh nga opozita, t’ia ndërrojmë preambulën dhe ta bëjmë që është i pozitës qeverisë. Por të mos veprojmë apriori se vetëm pse është nga opozita të hedhet poshtë, tha ai.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se ky ligj do t’i sillet Kuvendit në sesionin vjeshtor.

“Ju keni me pas shansin me shtu diçka, me heq diçka po do ta keni shansin ta bëjmë ligjin më të mirë. Ne duhet të kemi ligj pajtohem me gjithë ju.. Këtë do ta bëjmë në sesionin vjeshtor të Kuvendit”, përfundoi Latifi.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të miratojë nismën legjislative të PDK-së që kërkon rregullimin e çmimit të produkteve medicinale.

“Qeveria e ka kohën e mjaftueshme që ta punojë dhe ta diskutojë këtë temë dhe pastaj VV në leximin e parë në komisionin funksional ta rregullojë mbi qëndrimet që I ka qeveria. Pajtueshmëria për rregullimin e produkteve medicinale ekziston”.

“Nuk do të ketë më derë dhe as argument me kërku votën dhe besimin tonë, propozimi ynë është I thjeshtë, është iniciativë që duhet me u pa përtej një gjykimi të ngushtë që ka qeveria”, tha ai.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Projektligji për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës.

Në seancën e sotme të kuvendit, ai tha se qytetarët e Kosovës ndër vite blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit.

“Sfera e rregullimit të çmimit të barnave është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës për të ndaluar abuzimet me vlerën e barnave me çmime të shtrenjta se çmimet e tregut. Qytetarët e Kosovës blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e Rajonit. Ka produkte medicinale që qytetarët i blejnë deri 300 ose 400 për qind më shtrenjtë se ata të Rajonit”.

“Është më se e nevojshme që kjo sferë të rregullohet me një ligj të veçantë. Në konsultim me odën e farmacisë dhe akterë të tjerë, ua kemi sjell të gatshëm një projektligj të rëndësishëm për sferën e shëndetësisë që rregullon çmimin e produkteve medicinale”, tha Haxhiu.