Fjalë Kyçe

LDK i përgjigjet Osmanit pas ftesës për konsultim: Po na fton për të mbuluar dështimin e djeshëm

LDK i përgjigjet Osmanit pas ftesës për konsultim: Po na fton për të mbuluar dështimin e djeshëm

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme në veri të vendit.
Përmes një komunikate për media, LDK-ja ka thënë se mbështesin institucionet e Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në komunat veriore.

Tutje në komunikatë thuhet se nisur nga dështimi i mbrëmshëm, është kuptuar që institucionet vendore nuk janë koordinuar me askënd dhe nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme.

Ndërkaq, sa i përket ftesës së presidentes Vjosa Osmani për krerët e partive opozitare për konsultim gjatë ditës së sotme, LDK-ja ka thënë se presidentja po e bën këtë veprim për të mbuluar dështimin, duke shtuar se opozita duhet të konsultohet para se të ndërmerren veprimet.

“Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj”, thuhet në komunikatë.

Njoftimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës dje, i dha mbështetje institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit. Dënuam sulmin ndaj Policisë së Kosovës që po ushtronte mandatin e saj kushtetues. Kërkuam koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksuam që Kosovës në këto momente i duhen më së shumti siguria dhe qetësia.

Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme.

Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë?

Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj.

Mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran. Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit.