Fjalë Kyçe

Petkoviq: Serbia po punon për të gjetur një zgjidhje kompromisi

Petkoviq: Serbia po punon për të gjetur një zgjidhje kompromisi

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë adresimit për media në Bruksel pas përfundimit të rundit të ri të dialigut midis Kosovës dhe Serbisë. 18 gusht 2022.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë adresimit për media në Bruksel pas përfundimit të rundit të ri të dialigut midis Kosovës dhe Serbisë. 18 gusht 2022.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do t’i drejtohet publikut të premten, siç u njoftua një ditë më herët nga Brukseli. Por, adresimin do ta bëjë të dielën, tha drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Sipas tij, Serbia është duke e bërë të pamundurën për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

“Presidenti e shtyu fjalimin e tij sepse nuk mund të pajtohet me faktin se nuk kemi zgjidhje… Sepse nuk mund të pajtohet me faktin se ne kemi konflikte në Kosovë dhe Metohi dhe prandaj, gjithë ditës së djeshme, por edhe mëngjesin e sotëm, ai po punon për gjetjen e një zgjidhjeje. Presidenti Vuçiq të dielën do të flasë për gjithçka, për dialogun, për detajet, për propozimet, se si është sjellë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, si dhe çfarë duhet të bëjmë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për të ruajtur jetën e popullit tonë në Kosovë”, tha Petkoviq.

Të dielën pritet edhe takimi i Vuçiqit me përfaqësuesit serbë nga Kosova.Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar rundet e reja të bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimet e 18 gushtit në Bruksel, në kuadër të dialogut, nuk prodhuan asnjë marrëveshje.

Megjithatë, nga BE-ja thanë se palët do të vazhdojnë dialogun për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Petkoviq, në një konferencë për media në Beograd, tha se Serbia gjatë rundit të dialogut kishte bërë “propozime” dhe kishte ofruar “zgjidhje”. Por, ai shtoi se Prishtina i hodhi poshtë të gjitha propozimet.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Serbia e aplikon këtë masë ndaj shtetasve të Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Kosova i konsideron joligjore targat me akronime të qyteteve të Kosovës të tilla si UR, PZ, KM e të ngjashme.