Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, ka lavdëruar presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci për qëndrimet që mbajtën në lidhje me Udhëzimin Administrativ që ndalon shaminë në shkolla.
Sot Nagavci deklaroi se ky udhëzim do të vazhdojë të mbesë në fuqi, derisa Osmani para disa ditësh është deklaruar për këtë çështje, duke thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë orientim parësor i institucioneve për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
“Presidentja Osmani dhe Ministrja Nagavci jane te vetmet udheheqese te larta shteterore te Kosoves qe i dolën ne mbrojtje karakterit laik të shtetit tonë. Vendi yne duhet t’ju dije per nder qe perkunder presioneve qendruat te paepura ne nivel te obligimeve tuaja kushtetuese!”, ka shkruar Peci.
Po ashtu, ai tha se deklarimet dhe vendimet e Osmanit dhe Nagavcit kanë edhe më tepër peshë pasi ato janë të grave në pozitat me të larta shtetërore.
Nagavci përgjatë së shtunës bëri të ditur se është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit dhe institucioneve të Kosovës, teksa foli për debatin për shaminë.
“Sa i për Udhëzimit administrativ, është fol shumë kohëve të fundit. Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë udhëzim administrativë për shaminë, nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike. Udhëzimi administrativ të cilit i kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Është vërtetë që ky udhëzim administrativ që ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHT-it. Por e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi, ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm në aspektin formal ligjor”, deklaroi ndër të tjera ministrja e Arsimit.