Fjalë Kyçe

Greva në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave

Greva në sektorin publik, bëhet ekzekutimi i pjesshëm i pagave

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se ekzekutimi i pagave në sektorin publik është bërë pjesërisht për muajin gusht, për shkak të vonesave në procesimin e listave të grevistëve.

Murati ka thënë se e kanë konsideruar të padrejtë të shkojnë me ndalesë uniforme të pagës.

“Kemi konsideruar të padrejtë që të shkojmë në ndalesë uniforme por kemi dashur të kërkojmë nga komunat të na njoftojnë për vullnetin e lirë të pjesëmarrësve, nëse kanë marrë pjesë në grevë apo jo. Nisur nga këto ne kemi parë të nevojshme dhe të arsyeshme që të shikojmë ato lista, prandaj nuk kemi arritur që të procedojmë me pagesën e pagave në ditën e sotme”, ka thënë Murati.

Sipas tij, një pjesë e madhe e organizatave buxhetore kanë thënë se s’ka pasur grevë.

“Një pjesë e madhe e organizatave buxhetore kanë thënë se s’ka pasur grevë. Ka pasur rastet kur mësimdhënësit në rastet kur nuk ishte dashur të jenë në punë kanë qenë në punë, siç ka ndodhur me testin e Arritshmërisë”, është shprehur Murati.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit”, ka thënë Murati.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar të mërkurën se nuk mund të ulen pagat e mësimdhënësve për shkak të grevave.

Ai ka thënë se greva do të vazhdojë derisa Qeveria të mos ofrojë zgjedhje të pranueshme.

“Nëse kemi informacione që dikush në shkolla po tenton të ushtroj presion, do ta telefonojmë Policinë e Kosovës. Për ata që do të ushtrojnë presion, do të përgatisim kallëzime penale. Le të ofrojnë zgjedhje. Nxënësit nuk kanë çka të vijnë në shkollë. Grevën nuk po e bëjnë individët por është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit”, ka thënë ai.

Jasharaj ka thënë se për hir të sigurisë së nxënëseve, ata nuk duhet të dërgohen në shkolla.