Fjalë Kyçe

Prokuroria: 11-vjeçarja e dhunuar ishte raportuar e zhdukur në qershor

Prokuroria: 11-vjeçarja e dhunuar ishte raportuar e zhdukur në qershor

11-vjeçarja e dhunuar në Prishtinë ka qenë viktimë edhe një herë tjetër në qershor të këtij viti. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se ajo ishte raportuar si e zhdukur në polici atë kohë.

Në njoftim thuhet se e mitura ishte dërguar në strehimore pasi ishte gjetur e intervistuar.

“Në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore”.

Prokurori kujdestar ka lëshuar urdhëresa për ekzaminime dhe vlerësime dhe në prezencë të psikologes, Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave e mitura është marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit dhe ndaj të njëjtit rast janë duke vazhduar hetimet, thuhet në njoftim.

Për shkak se të dy çështjet penale ndodhen në procese hetimore të ndara dhe i takojnë Procedurës për të Mitur, prokuroria ka thënë se kufizimi i dhënies së informatave do të bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe do të shmanget çdo publicitet i tepruar dhe informata që shpien në identifikimin e të miturve, pasi shkelin rëndë të drejtat e fëmijëve për privatësi dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën, Ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

Lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares janë dërguar në mbajtje pesë personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, dhe janë në masë paraburgimi.

“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me institucionet relevante kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ofrimin e të gjitha shërbimeve për të dëmtuarën, kurse hetimet për këtë rast janë duke vazhduar, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”