Fjalë Kyçe

Kurti kritikon SBASHK-un: Po mendojnë veç për para, duhet të rregullojmë sistemin arsimor

Kurti kritikon SBASHK-un: Po mendojnë veç për para, duhet të rregullojmë sistemin arsimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit që ka hyrë në grevë që nga 25 gushti. Sipas tij, është e papërgjegjshme që të bëhet vetëm thirrje për rritje pagash, në kohën kur shumica e fëmijëve dalin analfabetë funksionalë.

Kërkesën për 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave, kryeministri Kurti e ka cilësuar si absurde, irracionale dhe dëshirë arbitrare të grevistëve. Të shtunën, Kurti në konferencën për media prezantoi një pako të re financiare. Aty përfshihet ndarja nga 50 euro çdo muaj për punëtorët e sektorit publik. Por, sipas tij, kjo është për të luftuar inflacionin dhe s’ka të bëjë me kërkesën për miratimin e Ligjit për Paga.

“Në një Kosovë, kur testet e PISA-s po na nxjerrin ¾ e fëmijëve analfabetë funksionalë ta shantazhosh Qeverinë, kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi. Nga greva janë të gjithë humbës. Të krijosh ditë pa mësim për fëmijët është papërgjegjësi. Duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga po na shtohen listat sociale. Ose asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare për të bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Thërras racionalitetin të njerëzve. Të jenë të përgjegjshëm e të japin mësim”, ka thënë Kurti në konferencën për media.

Ai ka thënë se nuk ka munguar dialogu social me sindikatat, por ka thënë se si kryeministër takohet vetëm me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave dhe jo me krerë të degëve sindikale.