Fjalë Kyçe

‘Dha’ dorëheqje nga pozita që s’e ushtronte, Ali Gashi emërohet drejtor i Burgut për të Mitur në Lipjan

‘Dha’ dorëheqje nga pozita që s’e ushtronte, Ali Gashi emërohet drejtor i Burgut për të Mitur në Lipjan

Ali Gashi që u dorëhoq nga pozita të cilën s’e ushtronte fare, ajo e drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve të Mitur, tashmë është avancuar në detyrë, raporton Gazeta Sinjali.

Ai dje është emëruar në pozitën e drejtorit të Burgut për të Mitur në Lipjan.

Këtë e ka konfirmuar vetë Gashi, i cili tha për Sinjalin se postin e ri e ka marrë që nga dita e djeshme.

“Po. Nga dita e djeshme”, u përgjigj shkurt Gashi.

Por a ishte rasti i rëndë i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së Gashit nga pozita e drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve të Mitur, apo ajo ishte vetëm sa për sy e faqe pasi ishte përgatitur terreni për avancim?

Gashi nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë çështje, duke thënë se për këtë e ka njoftuar zyrën e informimit dhe kabinetin e ministres së Drejtësisë dhe nuk ka çfarë të thotë më shumë.

Më 31 gusht, Ali Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve të Mitur, ani pse atë pozitë nuk po e ushtronte që nga shtatori i vitit të kaluar.

Ai do ta quante aktin si “dorëheqje morale”, pasi u mor vesh se njëri prej personave të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares i ishte nënshtruar trajtimit sa kishte qenë në burg.