Janë bërë rreth tri javë që kur ka filluar greva në arsim dhe institucionet e sindikatat ende duken larg zgjidhjes së problemit. Pavarësisht që gjatë kësaj jave u zhvillua takim në mes Këshillit Grevist të BSPPK-së dhe Qeverisë, takimi doli të jetë i pa suksesshëm. Sipas kryetarit të SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj në takim ka munguar serioziteti nga Qeveria. Ai tha se nuk është koha për tallje, porse Qeveria duhet të veprojë.
Jasharaj në një intervistë për KosovaPress ka komentuar edhe veprimin e disa mësimdhënësve, të cilët kanë filluar mësimin, duke thënë se secili mësimdhënës është i lirë të vendos nëse do të fillojë mësimi.
Kryetari i SBASHK-ut ka kërkuar nga Qeveria në rast se do të ketë takim, të jetë i hapur në prani të mediave, pasi sipas tij, takimeve të mbyllura po i humb serioziteti.
“Unë do të insistoj nëse ndodhë ndonjë takim të jetë i hapur dhe të jenë të pranishme mediat me qëllim që ne nuk kemi asgjë të fshehim nga qytetarët dhe uroi që as pala tjetër. Përmes përmbajtjes nga takimi, opinioni saktë do të dinte kush ka seriozisht angazhimin që të dalim nga kjo situatë dhe kush po e përdor situatën për ta fajësuar palën tjetër, pra qytetarët me një takim të hapur do ta mësonin të vërtetën. Takimet e mbyllura po shfrytëzohen nga pala tjetër për t’i nxjerr dy apo tri fjali dhe opinioni me marrë me të, dhe tash mu qel Facebook-at e ka vëlla e se ka vëlla, dhe po humb serioziteti i takimeve. Qeveria të ulet me ne, ta gjejë guximin që takimi të jetë i hapur para mediave”, ka theksuar Jasharaj.
Sipas Jasharajt, është ironike në këtë shekull ta detyrosh popullin të merret me deklaratën e Kurtit, se nëse është përdorë ose jo fjala vëlla gjatë takimit të mbajtur ditën e martë. Ai tha se çelësi i situatës është te Qeveria dhe jo te SBASHK-u.
“Edhe pse kishte nga pala tjetër që e tërë përmbajtja e takimit, mos arritja e asnjë rezultatit për shkak të barrikadimit të qeverisë, ata u munduan që opinionit t’i hedhin një fjali. Është ironike që në këtë shekull ta detyrosh popullin të merret, a i kam thënë apo jo vëlla. Unë i kam thënë, por në kuptimin më të mirë, në kuadër të tekstit dhe jo ta nxjerr një fjali të tillë nga takimet. Nëse qeveria është vërtetë serioze, nuk është koha për tallje me fjalën vëlla, është koha kur qeveria duhet të veprojë. Çelësi i situatës është te qeveria”, tha Jasharaj.
Po ashtu, ai tha se në çdo mbrëmje mbajnë takime me kryetarët e nivelit komunal për ta parë nga afër situatën dhe për ta dëgjuar zërin e anëtarësisë.
Bashkimi i Sindikatave te Pavarura të Kosovës (BSPK) nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrjen në fuqi sa më shpejtë të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagës 100 euro deri në miratimin e Ligjit të Pagave./ksp