Fjalë Kyçe

AME: Një fshat i Gjakovës tërësisht i vërshuar, janë evakuuar 9 familje me 80 anëtarë

AME: Një fshat i Gjakovës tërësisht i vërshuar, janë evakuuar 9 familje me 80 anëtarë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka bërë të ditur të shtunën se pjesë më e rrezikuar nga vërshimet në Gjakovë ishte fshati Brekoc, e cila siç thuhet, është vërshuar në tërësi nga rritja e nivelit të lumit Erenik.

Sipas AME-së, vërshimi në këtë fshat ka rrezikuar banorët, dhe se ekipet e intervenimit nga komuna e Gjakovës kanë evakuuar nëntë familje me së paku 80 anëtarë.

“Me intervenimin e ekipeve të mbrojtjes dhe shpëtimit nga Komuna e Gjakovës ju është ofruar ndihmë dhe janë evakuuar 9 familje me se paku 80 anëtar, te cilët janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër të sigurte. Viktima nuk ka pasur pos dëmeve materiale te krijuara nga vërshimi i ujit, procesi i vlerësimit është në vijim, dhe do të përfundojë me përfundimin e emergjencës”, thuhet në njoftim.

AME-ja ka njoftuar se janë vërshuar edhe disa lagje të qytetit siç janë lagjja e Qabratit, lokacioni i quajtur Pika e zeze, fshati Brodosan, Meje, Rugove e Hasit, rruga Ahmet Koronica, pjesa e bllokut të ri te ura e Moglicës dhe disa tjera më intensitet me të vogël.

“Agjencia e Menaxhimit Emergjent me Nivelin Komunal nga vendi i ngjarjes njofton se situata për momentin është në kontroll, nga niveli qëndror AME është kërkuar mbështetje dhe ndihme në sanimin e situatës , rrjedhimisht edhe janë dërguar dy ekipe të Pompimit me kapacitet të lartë, ndërsa ekipi për kërkim shpëtim me barka në përmbytje është në gatishmëri operacionale për ndihmë zonës se rrezikuar”, thuhet më tej në njoftim.