Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sërish u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të dalin nga greva dhe të nisë mësimi nëpër shkolla.
Nagavci ka ftuar mësimdhënësit që të japin kontributin e tyre me komente e sugjerime në Projekligjin e ri për paga, ndërsa ka thënë se me projektligjin e ri pagat do të rriten dukshëm në sektorin e arsimit.
“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj. Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit. Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik. Ky Projektligj ofron shumë më shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit. Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat. Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Arsimi, si dhe shumica e sektorit publikë janë në grevë që nga 25 gushti. Greva është thirrur nga BSPK-ja. Nga SBASHK-u është thënë se greva po vazhdon dhe se Qeveria e Kosovës nuk po bën lëvizje që të mbarojë kjoë situatë. SBASHK po kërkon nga 100 euro për punonjësit e sektorit të arsimit deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Qeveria e Kosovës me pakon e re për të ndihmuar luftimin e inflacionit ka ndarë ndër të tjera nga 50 euro në muaj për punonjësit e sektorit publikë deri në fund të këtij viti.