Në konferencën e fundit statutore, mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar caktimin e një përfaqësuesi brenda Qeverisë së Kosovës i cili do të shërbente si pikë kontakti për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes për ndihmë dhe informacion.
Sipas mbrojtjes, ky përfaqësues do të ishte i dobishëm në veçanti tani kur po afrohet fillimi i gjykimit.
E në lidhje me këtë çështje, është arritur pajtueshmëria edhe nga Ministria e Drejtësisë, shkruan lajmi.net.
Në një shkresë të cilën e ka parë lajmi.net, thuhet se MD ka treguar dakordësinë e saj lidhur me propozimin si dhe ka përcjellur detajet e pikave të caktuara.
“Ministria e Drejtësisë e Kosovës tregoi dakordësinë e saj me propozimin dhe përcolli detajet e pikave të caktuara fokale. Informacioni përkatës jepet në Aneksin 2”, thuhet në shkresë.
Të dy anekset që i janë bashkëngjitur shkresës përmbajnë informacione private, andaj Specialja i ka karakterizuar si konfidenciale.
“Në Konferencën e Statusit të 8 shtatorit 2022, gjyqtari i procedurës paraprake ftoi Sekretarin që të pyesë autoritetet përkatëse të Kosovës për mundësinë që ata të caktojnë një pikë kontakti për të marrë kërkesat e Mbrojtjes për informacion, bashkëpunim ose ndihmë drejtuar autoriteteve të Kosovës. E njëjta pikë qendrore do të bënte të jetë gjithashtu përgjegjëse për t’i transmetuar mbrojtjes përgjigjet ndaj kërkesave të tyre”, thuhet në përshkrimin e kërkesës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi tash e gati dy vjet janë në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte.
Atyre deri tash i është refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri, teksa kjo ka bërë që edhe nga vet institucionet e Kosovës, përfshirë kryeparlamentarin Glauk Konjufca, të shprehen të shqetësuar për të drejtat e të akuzuarve.