Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për shkallëzim të sanksioneve ndaj atyre që refuzojnë t’i kthejnë targat ilegale të veturave në ato RKS, duke mos shtyrë afatin për 10 muaj, siç patën kërkuar partnerët ndërkombëtarë.
Në një shkrim në Facebook, Haradinaj të shtunën ka thënë se vendimi i fundit i kryeministrit Albin Kurti për targat është “shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin”.
“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të Botës të na ndihmojnë t’i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë, dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjik. Nuk mund t’u kërkosh vendeve mike ndihmë e të mos i përfillësh këshillat e tyre, aq më tepër kur ato, jo vetëm se të kanë marrë nën mbrojtje, por falë edhe angazhimit të tyre, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Kjo është në kundërshtim edhe me traditën shqiptare”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka kërkuar nga Kurti që ta rishikojë vendimin për targat.
“Dua të besoj se zhgënjimi i shprehur i partnerëve tanë me këtë vendim të kryeministrit, nuk do të ketë pasoja për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka Kosova me ta!” ka përfunduar Haradinaj.