Fjalë Kyçe

Jep dorëheqje zv/ministrja e Drejtësisë, Nita Shala

Jep dorëheqje zv/ministrja e Drejtësisë, Nita Shala

Nita Shala, ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministres së Drejtësisë.
Një gjë të tillë ajo e ka konfirmuar për RTK-në, duke sqaruar edhe detajet në lidhje me vendimin që ka marrë.

“Po, kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk shërbej më në cilësinë e zëvendësministres së Drejtësisë”, tha Shala për RTK-në.

Duke shpjeguar arsyet, ajo tha se dorëheqje ka dhënë pas një vendimi që ka marrë Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.

Ky Këshill, ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që të shërbejnë në dy detyra publike njëkohësisht.

“Marrë parasysh përgatitjen time dhe përkushtimin tim për të kontribuuar në ngritjen e brezave të juristëve të rinj në republikën tonë, vazhdimi i ushtrimit të funksionit të zëvendësministres, më është pengesë në përmbushjen e qëllimeve akademike”.

Megjithatë, ajo deklaroi se shërbimi në pozitën e zëvendësministres në kabinetin qeveritar të kryeministrit Kurti, ka qenë nder për të dhe për këtë i është mirënjohëse.

Shala është emëruar në këtë post nga kryeministri Alibin Kurti në mars të vitit 2021.