Sektori i shëndetësisë në Kosovë, përballet vazhdimisht me probleme të shumta, duke përfshirë këtu edhe infrastrukturën por edhe pagat që u jepen mjekëve.
Megjithatë, më të pakënaqurit me këtë sektor janë qytetarët, nga të cilat vijnë kritika të shumta që lidhen me shërbimet që u ofrohen atyre, shkruan lajmi.net.
Nga këta të fundit, në vazhdimësi i është kërkuar qeverive që të marrin masa në mënyrë që i gjithë ky sektor të rregullohet, në mënyrë që edhe mjekët por edhe qytetarët të mos përballen me vështirësitë që tashmë e kanë kapluar shëndetësinë.
Përveç problemeve që tashmë u përmenden, është edhe një problem tjetër i cili, në mënyrë të veçantë gjatë këtij viti ka përfshirë shëndetësinë.
Ky problem, ka të bëjë me ikjen e mjekëve por edhe me numrin e madh të qytetarëve që kërkojnë shërim jashtë Kosovës.
Pavarësisht kësaj, duket se kërkesat e stafit mjekësor por edhe të qytetarëve kanë hasur në vesh të shurdhër nga ana e qeverisë.
Kjo për shkakun se gjatë kohës së qeverisë e cila udhëhiqet Albin Kurti, reformat në shëndetësi e investimet kanë munguar.
Përveç mungesës së investimeve e reformave, gjendjes së renduar në shëndetësi i shtohet edhe fakti se janë bërë më shumë se një muaj që sektori i shëndetësisë nuk ka ministër në krye të këtij posti.
Në lidhje me këtë, vështirësitë e menaxhimit të këtij sektori pa ministër, por edhe sa ndikon ndërrimi i shpeshtë i ministrave pikërisht në këtë sektor, lajmi.net ka kontaktuar me gazetarin për shëndetësi, Bujar Vitija.
Ai në deklarimin e tij ka thënë se, shëndetësia asnjëherë nuk ka qenë më keq në kuptimin e menaxhimit të saj, dhe se, është pakuptimtë për një qeveri që thotë se e ka prioritet këtë shëndetësi, ta lërë këtë sektor një muaj pa ministër.
“Shëndetësia asnjëherë nuk ka qenë më keq në kuptimin e menaxhimit të këtij sektori. Është e pakuptimtë për një Qeveri dhe kryeministër që plot gojë thonë se shëndetësinë e kanë prioritet, por e lënë pa ministër prej më shumë se një muaj. Pra kjo tregon sesa është prioritet ky sektor për këtë Qeveri. Aq më tepër se ende pa u bërë dy vjet mandat, kjo Qeveri i ndërroi tre ministra. Pra kaq për seriozitetin e trajtimit të shëndetësisë gjatë këtij mandati”, ka thënë gazetari.
Tutje, ai ka theksuar faktin se e gjithë shëndetësia është duke u udhëhequr nga ushtrues detyre, kjo sepse, të gjitha institucionet vartëse të MSH-së, përveç postit të ministrit, janë po ashtu më ushtrues detyre.
“Duhet me theksu edhe faktin tjetër se të gjitha institucionet vartëse të MSH-së janë me ushtrues detyre, SHSKUK, Fondi i Sigurimeve, AKPM, Inspektorati Shëndetësor. Pra e gjithë shëndetësia është duke u udhëhequr nga ushtrues detyre dhe pa mandat të plotë”, ka vijuar ai.
Më tej, ai ka thënë se është urgjente që kryeministri Kurti, ta emëroj një ministër, por është e rëndësishme dhe se, të mos eksperimentohet më me këtë pozitë.
“Kjo situatë e dëmton rëndë sektorin sepse nuk mund të ketë zhvillim të asnjë procesi duke pas në pozita ushtrues detyre, përfshirë edhe ministrin. Shumë procese varen nga ministri dhe kabineti i tij/saj. Është urgjente që kryeministri Kurti ta emëroj një ministër, por poashtu është e rëndësishme që të mos eksperimentohet më me këtë pozitë siç ndodhi në të kaluarën”, ka përfunduar Vitija.
Kujtojmë se javëve të fundit është raportuar se vetëm këtë vit, numri i mjekëve që janë larguar nga Kosova tanimë është me qindra. Kësaj, i shtohet edhe njoftimi i bërë nga Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së, pak javë më parë, ku thuhej mbi 1500 infermierë janë në përgatitje për tu larguar nga Kosova gjatë vitit të ardhshëm.