Fjalë Kyçe

Shefi i EULEX-it në Kosovë viziton veriun, thotë se njerëzit atje janë të frikësuar

Shefi i EULEX-it në Kosovë viziton veriun, thotë se njerëzit atje janë të frikësuar

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, Lars Gunnar Wigermark, ka bërë të ditur se ka vizituar Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësues politikë, të shoqërisë civile si dhe njësinë policore të EULEX-it.
Pas kësaj, Wigermark tha se situata në veri të vendit është shumë e brishtë dhe banorët serb në këtë pjesë të Kosovës janë të “frikësuar”.

“Pas takimeve që kam pasur sot në Mitrovicën e Veriut me liderët politikë, shoqërinë civile dhe njësinë e formuar policore të EULEX-it, është e qartë se gjendja e sigurisë është shumë e brishtë dhe se njerëzit vendas janë të frikësuar. EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të gjithë duhet të tregojnë përmbajtje maksimale”, ka thënë kreu i EULEX-it në një postim në Tëitter.

Ditë më parë nga EULEX është bërë e ditur se Njësia Policore e Specializuar në kuadër të këtij misioni është përforcuar me një njësi rezervë prej 23karabinierë italianë.

Dy javët e fundit kanë qenë mjaft të tensionuar në Kosovë, saktësisht në veri të vendit. Qeveria e Kosovës mori vendim që të mos ketë shtyrje të afatit për ri-regjistrimin e automjeteve nga serbët në Kosovë të cilët posedojnë targa ilegale , por si fillim atyre t’u shqiptohen fletëqortime e duke vazhduar më pas edhe me gjoba.

Por si pasojë e sabotimit të punës në kuadër të këtyre fletëqortimeve është shkarkuar shefi i policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq.

Pas shkarkimit të Gjuriq, rreth 600 zyrtarë policorë të nacionaliteti serb në Kosovë dhanë dorëheqje, ku më pas dorëzuan edhe pajisjet policore të Kosovës.

Kjo nuk përfundoi me kaq. Largimin nga institucionet drejtuese të vendit e konfirmuan edhe nga Lista Serbe. E ngjashëm vepruan edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe, të cilët lanë qytetarë e tyre pa kryetarë.

Dorëheqje më pas dhanë edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të Doganës së Kosovës nga nacionaliteti serb, por edhe zyrtarë të KQZ-së.

Pas gjithë këtyre zhvillimeve, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së u kërkua që të gjitha çështjet në mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen me dialog, e që mos të ketë përshkallëzim të situatës në veri.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucione derisa tha se nuk do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pavarësisht këtij deklarimi, nga SHBA dhe BE vazhdimisht është kërkuar që Kosova me urgjencë të formojë Asociacionin.

Të gjitha këto zhvillime nuk gjetën zgjidhje as në takimin e djeshëm të zv/kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Dje në Bruksel qëndroi Besnik Bislimi, si dhe përfaqësuesi i palës serbe, Petar Petkoviq. Por pavarësisht takimeve që patën me Lajçak, nuk pati ndonjë vendim përpos deklarimeve që dialogu duhet të vazhdojë.

Në kuadër të të gjitha këtyre zhvillimeve në veri të vendit, duhet përkujtuar që serbë të paktë të cilët vendosën që të konvertonin targat e tyre nga ato ilegale në RKS, u kërcënuan duke iu djegur veturat, lokale dhe duke iu pamundësuar një konvertim i tillë./Lajmi.net/