Fjalë Kyçe

Dëshmitari në rastin “Toka”: Ka një kontratë sipas së cilës pronën tonë e ka shitur Azem Syla

Dëshmitari në rastin “Toka”: Ka një kontratë sipas së cilës pronën tonë e ka shitur Azem Syla

Dëshmitari Vladimir Nikoviq, në seancën e së enjtes në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka thënë se është një kontratë sipas së cilës pronën e familjes së tij, e kishte shitur i akuzuari Azem Syla.

Këtë deklarim, dëshmitari Nikoviq e dha në gjykimin ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Azem Syla dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar, në rastin e njohur si “Toka”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Nikoviq ka thënë se Habib Caka kishte filluar punimet në tokën e tij, e më pas i njëjti kishte prezantuar një kontratë të vërtetuar nga gjykata, ku shitës i tokës kishte qenë i akuzuari Azem Syla,

“Nuk e ka blerë nga ne, ai na ka prezantuar njëfarë kontrate që e ka ble nga dikush, më duket Azem Syla dhe e ka pas një kontratë të vërtetuar në gjykatë dhe më ka thënë që këtë e ka paguar 370 mijë euro me sa më kujtohet”, ka thënë dëshmitari.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Besnik Berisha, se a është i sigurt se Caka i ka thënë se pronën e ka blerë nga Azem Syla dhe jo dikush tjetër, dëshmitari Nikoviq tha se është i sigurt për përgjigjen e tij.

Tutje, i pyetur nga avokati Berisha se a beson që Habib Caka i ka thënë të vërtetën për këtë rast, dëshmitari tha se nuk e di, por se gjykatës i ka thënë fjalët të cilat ai i ka deklaruar.

Ndryshe, në cilësi të dëshmitarëve në seancën e sotme janë deklaruar edhe Mexhid Syla, Gordane Steviq dhe Enver Qoqaj.

Dëshmitarët Syla dhe Steviq thanë se qëndrojnë pranë deklaratave të tyre të mëparshme, dhe se nuk kanë asgjë çfarë të shtojnë lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, dëshmitari Qoqaj ka deklaruar se përmes të akuzuarit Shaban Syla, ka blerë tokë nga Ilaz Syla, i cili po ashtu akuzohet për këtë çështje.

“18 ari i kam ble, i kam ble nga Ilaz Syla, më duket se 61 mijë euro e kam ble”, ka thënë Qoqaj.

Kurse, i pyetur nga prokurori Naim Abazi, se si ka kontaktuar me Ilazin, dëshmitari Qoqaj tha se të gjitha bisedat i ka bërë më të akuzuarin Shaban Syla.

Paraprakisht, në seancën e sotme është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin Fahredin Gashi, pasi që në seancën e kaluar ishte caktuar të përpilohet një ekspertizë psikiatrike për të njëjtin dhe eksperti ka konstatuar se i ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Seancat e radhës për ketë çështje u caktuan të mbahen më 18 dhe 20 janar 2023.

Ndryshe, në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.