Fjalë Kyçe

Rama u kërkon lokaleve ta zgjatin orarin e punës gjatë kohës së mërgimtarëve

Rama u kërkon lokaleve ta zgjatin orarin e punës gjatë kohës së mërgimtarëve

Komuna e Prishtinës ka propozuar që në kohën kur në Kosovë vijnë më së shumti mërgimtarët, të zgjatet orari i punës në sektorin e gastronomisë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka propozuar që nga data 15 korrik e deri më 15 gusht të zgjatet orari i punës në lokalet e Prishtinës.

“A kishte pasur mundësi që në një periudhë kohore një muajshe, 15 korrik- 15 gusht me pas një kohëzgjatje të orarit të punës, këtë e kemi marrë parasysh që ta ndihmojmë edhe sektorin e gastronomisë edhe krejt qytetin që me pas karakterin e një qyteti që ia vlen të vizitohet”, ka thënë Rama gjatë konsultimit publik për Projektrregulloren për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë.

Rama po ashtu ka thënë se kanë propozuar që të gjithë ata që dëshirojnë të lëshojnë muzikë, duhet të aplikojnë për certifikatë.

“Kemi bërë propozime që të gjithë ata që dëshirojnë të lëshojnë muzikë duhet të aplikojnë për certifikatë, e cila më pastaj e përcakton nivelin e decibelëve që dëgjohen jashtë apo që transferohet diku tjetër”, është shprehur ai.