Fjalë Kyçe

Këshilltari amerikan bisedon me Kurtin se si të shmanget “përshkallëzimi i mëtejmë”

Këshilltari amerikan bisedon me Kurtin se si të shmanget “përshkallëzimi i mëtejmë”

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të premten ka diskutuar për “shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë, shtyrjen e gjobave për targat, mbajtjen e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe përqendrimin në bisedimet për normalizimin e raporteve me Serbinë”.

“Rruga më e mirë për çuarjen përpara të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter të premten se ka biseduar me Cholletin “për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër, me përqendrim në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës, në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.