Manchester City duhet të jetë pothuajse i përsosur nga tani deri në fund të sezonit nëse dëshiron të arrijë liderin e Premier Ligës, Arsenalin, sipas trajnerit Pep Guardiola.
Arsenali humbi pikë vetëm për herë të tretë këtë sezon në barazimin pa gola në shtëpi me Newcastle United, por “Topçinjtë” janë ende tetë pikë përpara Cityt në vendit e dytë, transmeton lajmi.net.
Kampioni në fuqi e luan lojën e mbetur kundër Chelseat sot, megjithëse Guardiola pranon se Arsenali mund të jetë i pakapshëm në formën aktuale.
“Mënyra se si duhet të zvogëloni diferencën është të luani mirë dhe të fitoni ndeshje,” tha Pep në konferencën për shtyp.
“Ata kanë një mesatare dhe do të bëjnë 100 pikë ose më shumë nëse vazhdojnë, dhe ne nuk do t’i kapim. Do të duhet të jemi pothuajse perfekt. Ne do të presim që nga këtu deri në fund të sezonit ata do të binin pak sa i përket paraqitjeve të tyre, por ata ishin të shkëlqyer kundër Newcastle, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi më tej Guardiola.
City barazoi 1:1 me Evertonin të shtunën dhe ka marrë vetëm katër pikë nga nëntë të mundshmet në tre ndeshjet e fundit.