Ish-ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq e ka quajtur fiktive dhe sulm të orkestruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të ngritur dje ndaj tij, shkruan Insajderi.
“Me sulme të orkestruara dhe aktakuza fiktive, por edhe lloje të tjera të presionit, Prishtina dëshiron të frikësojë popullin serb në Kosovë gjatë muajve të fundit, ta detyrojë ata të zhvendosen. Prandaj kjo aktakuzë nuk është një sulm i drejtpërdrejtë për mua, por për të gjithë popullin serb, para së gjithash në veri të Kosovës”, tha Teodosijeviq për “Novostin” e Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës dje ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër ish-ministrit serb në qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq.
Sipas aktakuzës, ish-ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Teodosijeviq ka keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Në datën që kujtonte 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, Teodosijeviq ka bërë një deklaratë diskrikiminuese dhe turpëruese, pikërisht si bashkombësja e tij, ish-zëvendësministrja, Vesna Mikiq.
Ai i kishte quajtur shqiptarët “terroristë”, ndërkaq masakrën e Reçakut “trillim”.
“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Todosijeviq gjatë një tubimi në Zveçan për të shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, deklaratë të cilën e ka transmetuar Zëri i Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.
Më 15 janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të paarmatosur.