Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e ekonomisë dhe financave.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj ministrie, ministri Hamza duke e uruar për detyrën e re ambasadorin Kosnett, e falënderoi atë për ndihmën dhe kontributin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin për institucionet e Kosovës, veçanërisht për Ministrinë e Financave në avancimin e financave publike të shtetit të Kosovës.
Gjatë këtij takimi ministri Hamza gjithashtu e njoftoi ambasadorin Kosnett për procesin e buxhetit të Kosovës për vitin 2019, si dhe për planet dhe objektivat e Ministrisë së Financave për vitin 2019, me theks të veçantë në menaxhimin e financave publike si dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të vendit.
Ndërsa, ambasadori i ri I SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett, e falënderoi ministrin Bedri Hamza për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit amerikan për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, veçanërisht me Ministrinë e Financave.