Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se sot është arrestuar një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Ministri Sveçka ka thënë se personi i arrestuar është serbi, Milun Milenkovic- Llule, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësi i bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
“Arrestohet një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se gjatë arrestimit, zyrtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar dhe tre prej tyre janë lënduar lehtë.
“Gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë. Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset.”, ka shkruar ai.