Fjalë Kyçe

Kurti: Deklarimi i hapur i Serbisë për mosrespektim të Marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit, kërcënim i hapur

Kurti: Deklarimi i hapur i Serbisë për mosrespektim të Marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit, kërcënim i hapur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se deklarimi i hapur nga Serbia për mosrespektim të Marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit, e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, paraqet kërcënim të hapur.

Kryeministri përsëriti se marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksit në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në takim Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg.

Kryeministri, sipas komunikatës së Qeverisë theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.

“U bisedua edhe për situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç ‘rast theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë. Ndërkaq, për sa i takon dialogut, vijoi duke i dhënë theks rëndësisë, që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Një dokument i hartuar nga Serbia, përmes së cilit ajo është shprehur se nuk e ka ndërmend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, dhe aneksin e zbatimit të saj, ka nxitur reagimin edhe të BE-së.

BE-ja është shprehur se Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër.

Këtë e ka thënë të premten zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

“Bashkimi Evropian përsërit se marrëveshja është ligjërisht obliguese, në tërësi, për të dyja palët: Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë Stano.

Sipas tij, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së [Josep Borrell], më 18 mars 2023”.

“Ky ka qenë qëndrim i vazhdueshëm i BE-së, i cili ka qenë i komunikuar publikisht në disa raste”, ka thënë Stano. /Reporteri.net/