Fjalë Kyçe

Ish-komandanti i FSK-së: Kurti është dashur ta mbledh Këshillin e Sigurisë e jo të krijojë panik te qytetarët

Ish-komandanti i FSK-së: Kurti është dashur ta mbledh Këshillin e Sigurisë e jo të krijojë panik te qytetarët

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, informacionet për sulm të mundshëm në veri të Kosovës do të duhej t’ia drejtonte Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe jo të dilte para medieve dhe të frikësonte popullatën.

Kastrati tha se si ish-ushtarak, nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë.

“Kryeministri nuk është dashtë haptas ta thotë një gjë të tillë sepse unë jetoj mes njerëzve, është krijuar një panik panevojshme, nëse kryeministri ka informata të tilla është dashtë ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, jo të del para medieve, jo të del të frikësoj popullatën por ta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, komandantin e ushtrisë, drejtorin e Policisë, drejtorin e AKI-së, dhe drejtorët tjerë apo ministrat përkatës që i takojnë këtij këshilli i cili është Këshilli më i lartë i sigurisë në Kosovë dhe të ju jep informacione të qarta se çka serbët janë duke përgatitur dhe të ju jep rekomandime se ata duhet të jenë vigjilent, duhet të jenë në gjendje gatishmërie, duhet të përgatiten, duhet të jenë në terren etj”, ka thënë Kastrati.

Ish komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, tha se kjo deklaratë ka qenë populiste.

“Kjo për mendimin tim ka qenë paksa deklaratë populiste, deklaratë që unë si ushtarak nuk e kisha thënë asnjëherë në opinion por i kisha marrë masat e duhura për të parandaluar nëse i kam informacionet e tilla dhe unë besoj që kryeministri i ka informacionet e mjaftueshme sepse AKI-ja e ka dhënë provimin jashtëzakonisht mirë me 24 shtator kur faktikisht i ka pas informacionet duke bashkëpunu edhe me inteligjencat tjera dhe e ka kryer punën jashtëzakonisht mirë dhe kryeministri unë besoj që i ka të gjitha këto informacione mirëpo do të duhej në mënyra pak më ndryshe të veproj drejt kësaj situate”, është shprehur Kastrati.